Forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata mund të përshkallëzohet në çdo moment. Pak minuta më parë, pranë selisë së Partisë Demokratike, u shënua një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit hodhën molotovë, gurë dhe kapsolla në drejtim të efektivëve, ndërsa policia iu përgjigj me sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës. Përplasjet vijuan edhe në bulevard, ku u hodhën molotovë në rrugën e madhe pranë ish-hotel “Dajtit”. Policia reagoi me plumba gome dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.