Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga momenti kur një grup njerëzish, për të cilët nënkupton se janë protestues, hyjnë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike.
‘Studentët’ e protestës së ditës së sotme ndodhen në selinë e Partisë Demokratike, ironizon kryeministri Edi Rama. Ai ka publikuar një video ku duken militantët e PD në oborr, gati për të vijuar me protestën.
“Në Universitetin e Dhunës”, shkruan kryeministri. Videoja mban orën 15:30, kohë gjatë së cilës kishin nisur sulmet e para në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Edhe Zëvendëkryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestat e dhunshme në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale Koçiu shprehet se Partia Demokratike prej kohësh është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi media apo online.
Ajo thekson se urdhëruesi ka dalë hapur dhe ka marrë autorësinë e plotë të shkatërrimit, teksa shton se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj.
Postimi i plotë:
Koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar. Sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e “turmës së zemëruar”.
Partia Demokratike prej kohësh është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, media apo online.
E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj. Nuk e bënë kur qeverisnin në emër të Shqipërisë dhe nuk e bëjnë as sot, kur angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për llogari të dëshpërimit të tyre politik.
Por edhe kjo llogari e mbrapshtë, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u dalë përsëri gabim. Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën.
Ndaloni sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit!