Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën e dhunshme në Tiranë, duke akuzuar Partinë Demokratike se prej kohësh është kthyer në një forcë dhune, si në shesh, ashtu edhe në sallën e Kuvendit dhe në hapësirën mediatike e atë online.
Sipas Koçiut, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur dhe ka marrë përsipër përgjegjësinë për shkatërrimin. Ajo thekson gjithashtu se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet nga ata që, sipas saj, nuk kanë punuar në interes të vendit.
“Koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar. Sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e ‘turmës së zemëruar’.
Partia Demokratike prej kohësh është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, media apo online.
E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj. Nuk e bënë kur qeverisnin në emër të Shqipërisë dhe nuk e bëjnë as sot, kur angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për llogari të dëshpërimit të tyre politik.
Por edhe kjo llogari e mbrapshtë, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u dalë përsëri gabim. Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën.
Ndaloni sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit!”, shkruan Koçiu.

