Lidhur me zhvillimet e fundit dhe mbarëvajtjen e protestave, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ka ritheksuar se garantimi i së drejtës për tubim shoqërohet gjithmonë me detyrimin për të respektuar kuadrin ligjor në fuqi.
Në reagimin e tij, ministri bëri të qartë kufirin mes protestës paqësore dhe shkeljes së ligjit, duke nënvizuar se “e drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna nuk është pjesë e saj”. Ai shtoi se “përfshirja në akte dhune sjell përgjegjësi penale”, duke vënë në dukje rolin e institucioneve të linjës, si Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), për ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi pasojat ligjore të veprimeve të tilla.
Duke u ndalur te kuadri ligjor dhe përgjegjësia individuale gjatë tubimeve publike, mesazhi zyrtar rikujton se ushtrimi i një të drejte kushtetuese nuk ofron imunitet ndaj shkeljeve të Kodit Penal. Në këtë kuadër, Gogu deklaroi se “ushtrimi i të drejtës për të protestuar nuk përjashton të drejtën e përgjegjësisë individuale për veprime që përbëjnë vepër penale”, duke përfunduar me apelin për të mbrojtur të drejtat qytetare përmes respektimit të ligjit.










