Erjon Vishkulli, i riu që u qëllua me plumb gome në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Dëmtimi në sy raportohet të jetë i thellë, ndërsa ekziston frika se shikimi në këtë sy mund të jetë i pakthyeshëm.
Lajmi për gjendjen e tij është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga grupimi “Tigroza të Kiç e Zi”, të cilët i kanë uruar shërim të shpejtë të riut.
“Erjon Vishkulli, si dhe shumë djem të tjerë që nuk u mungon asgjë në jetën familjare, i dalin në ballë Atdheut për një Shqipëri më të mirë. Shërim sa më të shpejtë. Lutemi për ty, vëlla”, thuhet në postim.
Rasti i Erjon Vishkullit vjen pas përplasjeve të dhunshme mes policisë dhe protestuesve gjatë tubimit kombëtar të së shtunës, ku u raportua për përdorim të plumbave të gomës, gazit dhe ujit ndaj qytetarëve.
Gjendja e syrit të majtë të të riut mbetet shqetësuese, ndërsa ende nuk ka një informacion përfundimtar mbi mundësinë e rikuperimit të shikimit.





