Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve dhe qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar, të cilët kanë sulmuar me mjete të forta punonjësit e policisë gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Në reagimin e saj, Policia thekson se uniformat blu janë përballur gjatë gjithë ditës me presion dhe sulme të dhunshme nga persona të maskuar, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia u bën thirrje pjesëmarrësve të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës dhe të shmangin zonat ku po ndodhin incidente. Ajo kujton se, ndërsa e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
“Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Policia e Shtetit bën me dije se vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.

