Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj Tiranës në klasiken e futbollit shqiptar, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Abissnet Superiore. Ndërkohë, në përballjen tjetër, Elbasani dhe Teuta u ndanë në barazim pa gola.
Shkodranët e nisën ndeshjen në kërkim të fitores dhe kaluan në avantazh në minutën e 42-të me Edon Muratajn. Tirana u përpoq të reagonte në pjesën e dytë, por Vllaznia shënoi sërish në minutën e 68-të, këtë herë me Adnard Mehmetin, duke vulosur fitoren 2-0.
Me këtë rezultat, Vllaznia ngjitet në kuotën e tetë pikëve, ndërsa Tirana mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Elbasani ndali me barazim 0-0 Teutën, e cila ruan kreun e renditjes me 20 pikë. Për verdheblutë, kjo ndeshje shënoi edhe debutimin e trajnerit të ri, Glen Daja, në stol. Elbasani numëron tetë pikë.

