Një projektligj i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit parashikon ndryshime në mënyrën se si bizneset kryejnë procedurat pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Ndryshimi kryesor është kalimi i të gjitha aplikimeve online, përmes platformës e-Albania, duke parashikuar mbylljen e sporteleve fizike.
Për bizneset, kjo do të thotë se regjistrimet dhe procedurat administrative do të kryhen në distancë, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportele. Ndërsa për investitorët e huaj parashikohet njohja e identitetit elektronik europian, me synimin për të mundësuar regjistrimin e bizneseve nga jashtë Shqipërisë, pa prokurë apo prani fizike.
Projektligji parashikon edhe ndryshime të tjera në administrimin e bizneseve. Regjistri tregtar shqiptar pritet të lidhet me sistemin europian BRIS, ndërsa adresat e bizneseve do të verifikohen përmes koordinatave GPS. Gjithashtu, pasqyrat financiare do t’u përcillen automatikisht tatimeve përmes QKB-së.
Një nga detyrimet e reja të parashikuara lidhet me kodin e aktivitetit ekonomik NVE. Bizneset do të duhet ta certifikojnë dhe verifikojnë çdo vit pranë Dhomës Ekonomike Kombëtare. Sipas projektit, mosdepozitimi i certifikatës brenda 30 ditëve do të sjellë gjobë dhe pezullim automatik të statusit të biznesit në regjistër.
Ndryshimet janë pjesë e një projektligji dhe jo domosdoshmërisht rregulla që kanë hyrë tashmë në fuqi. Sipas relacionit shoqërues, synimi është rritja e transparencës dhe digjitalizimi i procedurave, ndërsa bizneset do të duhet të përshtaten me sistemin e ri nëse projektligji miratohet.

