Juristi Kreshnik Spahiu kritikoi Partinë Demokratike për tentativën, sipas tij, për të marrë nën kontroll protestën në Tiranë, në ditën e 12-të të saj.
Në një lidhje direkte për Report Tv, Spahiu deklaroi se PD-ja rrezikon të zbehë kauzat qytetare, duke përfituar politikisht nga pakënaqësia e protestuesve.
“Sot ishte tentativa e PD-së për ta rrëmbyer protestën, flamurin e protestës”, u shpreh ai.
Spahiu kujtoi gjithashtu lëvizjen studentore të viteve ’90, duke akuzuar Sali Berishën se përfitoi nga protesta e studentëve.
“Berisha i vodhi protestën 40 mijë studentëve. Nga kjo protestë do të përfitojë vetëm Berisha”, deklaroi juristi.
Ai iu referua edhe ngjarjeve të 21 janarit 2011, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të menaxhohej protesta nëse Berisha do të ishte kryeministër.
“Sa herë ka dalë PD në protesta, aq herë e ka fikur zjarrin e kauzave të popullit”, përfundoi Spahiu.
