Lorenco, një nga protestuesit e revoltës studentore, thotë se qëndresa kundër qeverisë do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se mungesa e reflektimit nga ana e qeverisë ka shtuar zemërimin e qytetarëve. Protestuesi u distancua nga tubimi i organizuar nga opozita, duke pretenduar se protesta e tyre nisi në orën 14:00. Sipas Lorencos, Partia Demokratike u përpoq të merrte meritat për protestën e studentëve, por nuk ia doli.
”Protesta e vërtetë nisi në orën 14:00. Para orës 14:00 ishte protesta e opozitës së dështuar, që i vuri kapakun arkivolit të vet”, deklaroi ai. Lorenco kritikoi gjithashtu pretendimet e PD-së për përfshirjen në organizimin e protestës, duke thënë se kjo përpjekje nuk ndihmon në ringritjen e opozitës. ”PD mendon që duke u munduar të përvetësojë protestën tonë do të ringjallet. Ke marrë fund”, u shpreh protestuesi.
Ai theksoi se dallimi mes protestës së qytetarëve dhe asaj të opozitës qëndron te prania në terren dhe përballja me situatën në shesh. ”Opozita e vërtetë po pi gaz në shesh, s’po bën llogje nga selia e partisë”, tha Lorenco, duke iu referuar situatës gjatë protestës. Në përfundim, ai ritheksoi se protestat do të vazhdojnë dhe se objektivi i tyre mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra.
”Protesta do të vazhdojë deri në momentin që do të kemi dorëheqje. Tirania s’do të tolerohet kurrë në asnjë situatë. Nëse tolerojmë tiraninë, atëherë jetojmë kot. Ka më vlerë të jetosh i burgosur?! Deri në dorëheqje nuk ulim kokën kundër tiranisë”, tha në ”A2cnn”.
