Protesta e 12-të studentore në Tiranë u shënua nga plagosje të rënda, përplasje me policinë dhe skena dhune që u zhvendosën në disa zona të kryeqytetit.
Një i ri me dëmtim serioz në sy iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Traumës, ndërsa aktivisti Sazan Guri u raportuan të lënduar gjatë tubimit.
Mes pamjeve më shqetësuese të ditës janë edhe ato të publikuara nga gazetari Osman Stafa, i cili dokumentoi momentin kur një qytetar u godit me shkop gome nga efektivë policie dhe mbeti i shtrirë në tokë, pa ndjenja.
Ndërkohë, nga Spitali i Traumës, deputeti Blendi Himçi i kërkoi Prokurorisë së Tiranës të hetojë veprimet e policisë, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish në protestë të dielën.
I riu me dëmtim në sy i nënshtrohet operacionit
Një nga rastet më të rënda të protestës është plagosja e një të riu në sy, i cili dyshohet se është goditur me plumb plastik gjatë përplasjeve.
Protestuesi ka pësuar dëmtim të bulbit të syrit dhe ka një trup të huaj brenda tij, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale.

Pamjet e publikuara nga protesta tregojnë të riun me gjakderdhje në zonën e syrit, ndërsa ai kërkon ndihmë mes kaosit.
Ende nuk ka një konfirmim përfundimtar mbi shkallën e dëmtimit të shikimit, ndërsa rrethanat e plagosjes duhet të verifikohen nga organet kompetente.

Sipas bilancit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë deri në orën 19:45, në Spitalin e Traumës ishin paraqitur nëntë të lënduar, mes tyre shtatë protestues dhe dy përfaqësues të medias. Katër protestues po vijonin ekzaminimet dhe trajtimin, ndërsa të tjerët kishin marrë ndihmën e nevojshme.

Në QSUT u trajtuan një protestues dhe një efektiv policie, të cilët më pas u larguan nga spitali. Dy efektivë të tjerë me dëmtime në sy morën trajtim në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2.
Sipas këtij bilanci paraprak, në total 13 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë protestës.
Pedagogu Lush Susaj dhe Sazan Guri të lënduar
Gjatë përplasjeve u raportua edhe për plagosjen e pedagogut Lush Susaj, i cili dyshohet se është goditur me plumb gome në kraharor. Ai mori ndihmën e parë në një pikë mjekësore të improvizuar nga studentët e Mjekësisë në Parkun Rinia.

I lënduar gjatë protestës u raportua edhe aktivisti dhe profesori Sazan Guri. Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, ai shihet i shtrirë në tokë, teksa merr ndihmën e parë nga të rinjtë. Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se edhe Guri është goditur me plumb gome.

Të dy rastet u bënë pjesë e bilancit të një dite të shoqëruar me përdorim të gazit lotsjellës, autobotit me ujë dhe plumbave të gomës nga policia, ndërsa protestuesit hodhën gurë, fishekzjarrë dhe kokteje molotov gjatë përplasjeve.
Osman Stafa dokumenton qytetarin e shtrirë pa ndjenja pas goditjeve
Një tjetër episod i rëndë u regjistrua në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku një qytetar mbi 40 vjeç u godit me shkop gome në kokë nga efektivë policie dhe përfundoi i shtrirë në tokë, pa ndjenja.
Gazetari Osman Stafa dokumentoi ngjarjen dhe ndërhyri duke iu kërkuar efektivëve të ndalonin goditjet. Ai kërkoi gjithashtu mbërritjen e ambulancës për qytetarin e dëmtuar. Sipas pamjeve të publikuara, pas ndërhyrjes së gazetarit, në vendngjarje mbërriti ambulanca dhe personi u transportua për ndihmë mjekësore.

Pamjet rikthyen vëmendjen te mënyra se si u ushtrua forca gjatë ndërhyrjeve të policisë dhe te nevoja për të hetuar rrethanat e plagosjes.
Himçi nga Trauma i drejtohet Arens Çelës: Nxirr prokurorët në terren
Nga Spitali i Traumës, deputeti Blendi Himçi i bëri thirrje drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, të marrë përgjegjësitë dhe të nxjerrë prokurorët në terren për të hetuar veprimet e policisë gjatë protestës.
Himçi e cilësoi situatën si një “bilanc lufte”, duke kërkuar që organi i akuzës të mos presë më për të verifikuar rastet e raportuara të plagosjeve.

“Çfarë pret Prokuroria e Tiranës?”, ishte një nga pyetjet që deputeti ngriti nga spitali, ndërsa paralajmëroi se mosveprimi përballë veprimeve të dyshuara të paligjshme mund të krijojë përgjegjësi edhe për institucionet që kanë detyrimin t’i hetojnë ato.
Thirrja e tij erdhi në një ditë kur disa protestues kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa rasti i të riut me dëmtim serioz në sy dhe pamjet e dokumentuara nga Osman Stafa u bënë pjesë e shqetësimeve për përdorimin e forcës gjatë tubimit.
Përplasje në disa zona të Tiranës, zjarr dhe dëmtime në institucione
Protesta, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit, u përshkallëzua gjatë pasdites dhe mbrëmjes. Policia përdori gaz lotsjellës, autobotin me ujë dhe plumba gome për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe fishekzjarrë, si dhe përdorën kokteje molotov.
U raportua për zjarr në hyrjen e godinës së Ministrisë së Mjedisit, ndërsa përplasjet u zhvendosën në disa akse të kryeqytetit, përfshirë zonën e Sheshit “Skënderbej” dhe rrugë të tjera pranë institucioneve. Në rrjedhën e protestës pati gjithashtu dëmtime të pronës dhe bllokim të qarkullimit.

Në rrugën “Myslym Shyri”, një grup të rinjsh dogji disa kazanë mbeturinash dhe bllokoi lëvizjen e automjeteve. Pranë tyre ndodheshin forca të shumta policie dhe një autobot me ujë në gatishmëri.
Studentët paralajmërojnë protestë edhe të dielën
Pavarësisht tensioneve dhe plagosjeve të raportuara gjatë tubimit të sotëm, studentët dhe të rinjtë kanë njoftuar se do të rikthehen sërish në protestë ditën e nesërme, më 25 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Pas protestës së sotme në Tiranë, të shoqëruar me përplasje me policinë dhe raportime për të lënduar, të rinjtë paralajmërojnë vijimin e tubimeve dhe këmbëngulin te kërkesat e tyre.

Protesta e radhës pritet të zhvillohet në të njëjtin vend, ku studentët do të mblidhen për të shprehur kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre. Kështu, pas një dite të shënuar nga plagosjet dhe tensionet, lëvizja studentore paralajmëron se nuk do të ndalet.













