Nga Florian Çanga
Fatkeqësia më e madhe e një brezi është falimentimi kulturor, sepse mbi moshën 40 vjeç një brez duhet të gjenerojë kulturë dhe frymë zhvillimi dhe të jetë model. Kjo ka ndodhur në Europë me shumë breza, që nga konstruktivizmi, Bauhaus-i etj.
Brezi i Ramës, si fëmijë të komunistëve, nuk kishte kulturë origjinale të vetën. O luajtën me informacionin ekskluziv që kishin, ngaqë ishin të privilegjuar, ose me mundësitë politike e artistike (budallallëku i bunkerit në Pompidou).
PROTESTA
Brezi i Ramës shkatërroi fëmijët e vet dhe sistemin e tyre të arsimimit, duke i orientuar drejt akademizmit të panevojshëm. Por, paralelisht, prej kohësh kultura kompjuterike gjeneroi brezin e pavarur nga sistemi shabllon arsimor. Në çdo lagje të Tiranës mund të blesh një superkompjuter me pak lekë, të hakerosh disa softuerë dhe të luash videolojëra. Të gjitha këto janë kulturë moderne dhe mendim i pavarur, i cili nxori jashtë loje komplet procesin e panevojshëm dhe të padobishëm arsimor.
Ndërkohë, Rama u rrethua nga mjaftistë të lodhur, sterilë dhe disa mediokër si Taulant Balla apo Braçe, që bënin propagandën e tij, bashkë me femra province dhe halabakë lokalë. Për të mbajtur votat, u zhyt në llum.
FUNDI I BASHKIMIT EUROPIAN
Bashkimi Europian ka marrë fund si propagandë në Shqipëri, pikërisht prej vetë reagimit të tij. Brezi që sot është në protesta është shumë më modern sesa myshqet që vegjetojnë në zyrat e BE-së në Tiranë. Atyre s’u plas fare për propagandën apo atashimin, ama e kuptuan kur Ursula u tha Flamingove: “Ikni, pirdhuni!” Sepse janë një brez i rritur me estetikën kompjuterike, pavarësisht se ku jetojnë. Dhe estetika kompjuterike të thyen në mes. Edhe si imazh, edhe si zhvillim, është bashkëkohore. Është si të krahasosh Verdin me Chemical Brothers.
KULTURA KOMPJUTERIKE VS MEDIA
Kush beson sot që rinia ndjek TV është idiot. Rinia sot është komplet në aplikacione dhe në integrime idesh. Nuk ka nevojë as të kërkojë opinion, sepse e do të botuar në internet për ta krahasuar. Përpara kësaj, Rama, me injorancën që e karakterizon, del me dajre dhe karrige. Kjo e bën qesharak, sepse kjo rini s’ka nevojë as për mësues, as për akademi. Kjo vetëm s’do që t’i ndërhysh në formulën e vet të funksionimit ekonomik.
Ndaj personat 40 vjeç e sipër kanë për detyrim t’ia lehtësojnë kostot e ekzistencës ekonomike, si korrupsioni, droga etj., dhe të mos ndërhyjnë në kulturën e tyre, nëse s’e kuptojnë.
Rama duhet kuptuar si një prind injorant i cili e ka të pamundur ta kuptojë fëmijën e vet dhe për të ruajtur pozicionin imponues, zgjedh ta rrahë.
*Ky shkrim u konceptua enkas për Hashtag.al