Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar forcat e policisë për ushtrim dhune ndaj protestuesve gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar nisjen e hetimeve nga organet e drejtësisë.
Në një deklaratë, Berisha pretendoi se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe kanë përdorur armët në kundërshtim me rregullat për përdorimin e tyre.
“Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë. Gjatë ditës dhe sonte narkobanditë me uniformë të ‘Shqiponjave’ dhe ‘RENEA-s’ kanë ushtruar një dhunë të paparë ndaj protestuesve paqësorë.
Kanë qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të rregullave të përdorimit të armëve që përdorin.
I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve.
Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit.
Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin apo në gjoksin e protestuesve paqësorë”, tha Berisha.