Aktorja e njohur hollivudiane Hilary Swank ka treguar se si arriti ta mbante të fshehtë shtatzëninë e saj të tretë deri në muajin e shtatë, pa u izoluar nga jeta e përditshme dhe pa hequr dorë nga puna.
52-vjeçarja, fituese e dy çmimeve Oscar, zbuloi se një rol të rëndësishëm në ruajtjen e këtij sekreti luajti komuniteti i vogël ku jeton, aty ku edhe është rritur. Sipas saj, banorët treguan respekt për privatësinë e saj dhe nuk e përhapën lajmin para se ajo të vendoste ta bënte publik.
Jetoj në një qytet shumë të vogël, ku jam rritur. Të gjithë kanë qenë kaq të respektueshëm ndaj privatësisë sime dhe lajmi nuk ka rrjedhur
-tregoi Swank gjatë një interviste në podcastin “Question Everything”.
Aktorja sqaroi se nuk kishte nevojë të qëndronte vazhdimisht në shtëpi apo të shmangte daljet për të ruajtur sekretin. Ajo vazhdoi angazhimet profesionale dhe punoi në sheshxhirim deri rreth javës së 17-të të shtatzënisë, pa e kuptuar askush gjendjen e saj.
Swank shpjegoi se vendimi për të mos e bërë menjëherë publike shtatzëninë lidhej edhe me natyrën e saj diskrete.
Jam një person që e vlerëson shumë privatësinë dhe nuk kishte ndonjë arsye të veçantë për ta njoftuar më herët
-u shpreh ajo.
Lajmin për pritjen e ëmbël e bëri publik më 14 tetor, përmes një postimi në Instagram, ku la të kuptohej me humor se projekti i saj i radhës do të vinte në dhjetor.
Hilary Swank dhe bashkëshorti i saj, Philip Schneider, janë tashmë prindër të binjakëve Aya dhe Ohm, të cilët erdhën në jetë në prill të vitit 2023, kur aktorja ishte 48 vjeçe.
Ajo ka treguar se fëmijët e kanë pritur me shumë entuziazëm lajmin se do të bëhen vëlla dhe motër më të mëdhenj. Sipas aktores, ata e pyesin vazhdimisht nëse ka ardhur koha që bebi të lindë.
Swank pritet të bëhet nënë për herë të tretë rreth Krishtlindjeve.
Duke folur për mëmësinë pas të 50-ave, aktorja ka theksuar se çdo njeri ka rrugëtimin dhe kohën e vet. Ajo shpjegoi se në të 20-at dhe të 30-at ishte e përkushtuar ndaj karrierës, të cilën e konsideronte një projekt shumë të rëndësishëm të jetës së saj.
Tani, pas viteve të punës dhe zhvillimit personal, ajo ndien se mund t’u kushtojë më shumë kohë fëmijëve.
Jo gjithçka ndodh sipas afateve që vendosim për veten. Shtatzënia nuk vjen gjithmonë në kohën që kemi planifikuar
-ka deklaruar Swank, duke shprehur mirënjohje për këtë etapë të re familjare.
Historia e saj rikthen në vëmendje edhe mënyrën se si personazhet publike përpiqen të ruajnë kufijtë mes jetës profesionale dhe asaj private, veçanërisht kur bëhet fjalë për momente të rëndësishme familjare.