Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë sërish tryezën dhe karriget para godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur ftesën për dialog me protestuesit, pavarësisht refuzimeve të ditëve të fundit.
Këtë herë, krahas stolave dhe tavolinës prej guri, janë vendosur edhe karrige të modeleve të ndryshme.
Një ditë më parë, gjatë protestës së thirrur nga Partia Demokratike, u dogjën edhe ulëset e vendosura për dialog në bulevard.
Pasditen e së shtunës, protesta u shoqërua me akte dhune dhe përplasje në kryeqytet.
Protestues të maskuar i vunë zjarrin Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës dhe Teatrit të Kukullave, ndërsa sulmuan me molotovë edhe Bashkinë e Tiranës.
Gjatë trazirave u raportuan gjithashtu sulme me gurë, fishekzjarrë, molotovë dhe sende të forta ndaj efektivëve të Policisë, bankave dhe bizneseve private.
Kryeministri Rama paralajmëroi se personat që kanë kryer akte dhune do të përballen me ligjin, duke deklaruar se do të ketë ndëshkime penale dhe financiare.