Vendvotimet në Serbi janë hapur këtë të diel për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 6.45 milionë qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur 250 deputetët e rinj të Kuvendit.
Në garën zgjedhore marrin pjesë 18 lista me më shumë se 2,400 kandidatë, ndërsa votimi zhvillohet në afro 8,400 vendvotime në të gjithë vendin. Procesi po monitorohet nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë.
Partia Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, synon të ruajë pushtetin, ndërsa një nga sfidat kryesore është lista e mbështetur nga studentët, të cilët prej muajsh po organizojnë protesta duke kërkuar përgjegjësi dhe reforma institucionale.
Për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë, një parti ose koalicion duhet të fitojë të paktën 126 nga 250 vendet në Kuvend.
Zgjedhjet zhvillohen në një klimë tensionesh politike dhe debatesh mbi drejtimin e vendit, integrimin evropian të Serbisë, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, si dhe raportet me Kosovën.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u mbajtën në dhjetor të vitit 2023.

