Protestat në Francë, përplasje mes policisë dhe protestuesve, rreth 1000 të arrestuar
Qindra mijëra qytetarë dolën të shtunën në rrugët e Francës për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve në arsim, por ajo që nisi si një ditë demonstratash kryesisht paqësore, përfundoi me përplasje mes protestuesve dhe policisë në disa qytete të vendit. Rreth 1,000 persona u arrestuan, ndërsa autoritetet përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat në Paris, Marsejë, Bordeaux dhe Lyon.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 410 mijë persona morën pjesë në protesta, ndërsa sindikatat pretendojnë se numri i demonstruesve arriti në rreth 800 mijë. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, në terren u angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie, ndërsa në disa qytete u vendosën kufizime për zhvillimin e tubimeve.
Në Paris, përplasjet nisën në fund të një marshimi që fillimisht ishte zhvilluar paqësisht. Disa protestues ngritën barrikada dhe hodhën sende drejt policisë, ndërsa grupe personash dëmtuan vitrina dhe prona private. Situata u tensionua edhe në Marsejë, ku barrikadat e improvizuara dhe koshat e mbeturinave u përfshinë nga flakët. Në Bordeaux u raportuan dëmtime dhe përpjekje për të bllokuar rrugët, ndërsa në Lyon policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se në protestat e Parisit ishin përfshirë edhe grupe aktivistësh radikalë, përfshirë rreth 500 persona të identifikuar nga autoritetet si nxitës të trazirave.
Pas protestave qëndron pakënaqësia e qytetarëve për rritjen e çmimeve të karburantit, vështirësitë ekonomike dhe kushtet në shkolla, por edhe zemërimi ndaj qeverisë së presidentit Emmanuel Macron.
Autoritetet franceze po përpiqen të shmangin përsëritjen e skenave të rënda të fundjavës së kaluar, kur më shumë se 2,500 persona u arrestuan dhe mijëra biznese u prekën nga dëmtimet dhe plaçkitjet. Dëmet ekonomike u vlerësuan në qindra miliona euro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



