Serbia mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Studentore sfidon pushtetin e Vuçiçit
Qytetarët e Serbisë u drejtohen këtë të diel kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një garë që vë në provë pushtetin e Aleksandar Vuçiçit dhe të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Përballë tyre qëndron Lista Studentore, e dalë nga protestat masive kundër qeverisë.
Qendrat e votimit në Serbi janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Në këto zgjedhje garojnë 2.418 kandidatë nga 18 lista zgjedhore, për 250 vende në parlamentin serb.
Sipas të dhënave të publikuara, rreth 6.45 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa procesi zhvillohet në 8.392 qendra votimi, përfshirë 93 qendra jashtë vendit, në 37 shtete. Pragu zgjedhor për hyrjen në parlament është 3 për qind.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen në një klimë të tensionuar politike dhe shoqërore, pas dy vjetësh protestash të gjera kundër qeverisë dhe korrupsionit. Lëvizja studentore, e cila u fuqizua nga këto protesta, synon të sfidojë dominimin politik të SNS-së dhe t’i japë fund pushtetit të gjatë të Vuçiçit.
Lista Studentore nuk ka një udhëheqës formal dhe përbëhet kryesisht nga figura jopartiake, mes tyre profesorë universitarë. Ajo paraqitet si një alternativë ndaj partive tradicionale dhe kërkon të shfrytëzojë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj institucioneve dhe qeverisjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




