23 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore me dëmtime të ndryshme pas protestës së zhvilluar më 24 tetor 2026 në Tiranë. Bilanci paraprak është bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në të dhënat e mbledhura nga spitalet dhe poliklinikat.
Sipas njoftimit të ministrisë, 16 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre janë 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie.
Njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtime në sy dhe gjatë ditës së djeshme i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente. Për përcaktimin e vijimit të trajtimit të tij, do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar mes ekipeve mjekësore të Spitalit Universitar të Traumës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur pesë persona: një deputet, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë. Edhe ata kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar.
Në total, sipas bilancit paraprak të ministrisë, 23 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës. Vijon ndjekja e gjendjes shëndetësore të protestuesit që pësoi dëmtime në sy.

