Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, përfaqësuese e Qarkut të Shkodrës, mori pjesë si e ftuar speciale në Kongresin e Partisë Demokratike Europiane (EDP), të zhvilluar më 23–24 tetor në Athinë, me ftesë të Sandro Gozit, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane.
Kongresi, i organizuar nën moton “The Final Countdown – It’s Time for Europe”, mblodhi përfaqësues politikë, eurodeputetë dhe personalitete ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e demokracisë, mbrojtjen e lirive themelore dhe sfidat me të cilat përballet Europa.
Në programin zyrtar të Kongresit, Shqipërisë iu kushtua një hapësirë e veçantë me titull “Focus on Albania”, ku deputetja Koçeku ishte folësja e ftuar për të paraqitur zhvillimet e fundit politike në vend, protestat e studentëve dhe shqetësimet për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Pjesëmarrja e saj vjen në një moment kur protestat studentore në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të institucioneve europiane.
Gjatë fjalës së saj, Koçeku falënderoi veçanërisht Sandro Gozin për solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj të rinjve shqiptarë dhe protestave të tyre, duke theksuar rëndësinë që ka kjo mbështetje për qytetarët që kërkojnë llogaridhënie institucionale, drejtësi dhe ndryshim demokratik.
Në fjalimin e saj, Koçeku theksoi se aspirata europiane e Shqipërisë nuk mund të identifikohet me një qeveri apo një udhëheqës politik, por përfaqëson një ëndërr afatgjatë të të gjithë shoqërisë shqiptare për të ndërtuar një vend ku standardet demokratike dhe europiane të bëhen realitet.
“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk është një qeveri dhe nuk është një udhëheqës. Ajo është ëndrra e kahershme e një kombi dhe e një shoqërie që dëshiron t’i shohë vlerat europiane të realizuara në vendin e vet.”
Pjesë e Kongresit ishin gjithashtu François Bayrou, President i Partisë Demokratike Europiane, Jean-Noël Barrot, Ministër i Europës dhe Punëve të Jashtme të Francës, Neera Tanden, Presidente e Center for American Progress dhe ish-këshilltare e lartë e Presidentit amerikan Joe Biden, si dhe përfaqësues të tjerë europianë dhe ndërkombëtarë.
Nga Athina, qyteti ku lindi demokracia, Koçeku përcolli mesazhin se mbrojtja e demokracisë nuk mund të mbetet vetëm një angazhim deklarativ, por duhet të shoqërohet me qëndrime konkrete në mbrojtje të qytetarëve, të rinjve dhe lirive themelore.




