Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron paketë të re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane pas protestave në Tiranë


Kryeministri Edi Rama do të prezantojë paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës së dhunshme të zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Përmes një reagimi, Rama akuzoi Partinë Demokratike se kishte dalë në ballë të akteve të dhunës dhe se selia e saj ishte përdorur si strehë për protestuesit.

“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku PD doli nga prapavija në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik dhe në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve”, u shpreh kryeministri.

Rama ka paralajmëruar ndëshkime penale dhe financiare për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave. Paketa e re ligjore synon të trajtojë, sipas tij, fenomenin e dhunës dhe anarkisë urbane.

Kryeministri ka përsëritur gjithashtu ftesën për dialog me protestuesit, duke vendosur sërish tryezën dhe karriget përpara godinës së Kryeministrisë, pavarësisht refuzimeve të ditëve të fundit.