Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesave të opozitës për dorëheqjen e tij, gjatë deklaratës për mediat ku prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës dhe asaj që e cilësoi si “anarki urbane”.
Kreu i qeverisë tha se kërkesa për largimin e tij është një e drejtë e qytetarëve, por theksoi se dorëheqja nuk mund t’i imponohet përmes dhunës apo formave të tjera të presionit. Njëkohësisht, Rama përsëriti gatishmërinë për dialog me këdo që dëshiron t’i paraqesë kërkesat e veta.
“Kjo paketë nuk ka asnjë shpikje allashqiptarçe apo që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, është e drejta e tij ta thotë apo ta kthejë në protestë këtë. Unë jam i gatshëm të ulem dhe të dëgjoj këdo që do të më parashtrojë kërkesat, sepse besoj se kush kërkon dorëheqjen time gabon duke menduar që mund të imponohet me dhunë apo formë tjetër, por nuk mendoj se ka gabim për çdo gjë që thotë apo mendon”, deklaroi Rama.
Deklarata vjen në një klimë tensionesh politike, pas protestave të fundit në Tiranë, të shoqëruara me përplasje dhe dëmtime të institucioneve publike e bizneseve. Rama prezantoi gjithashtu gjashtë instrumentet e paketës ligjore, duke argumentuar se synimi është ndëshkimi i dhunës dhe mbrojtja e pronës.

