Kryeministri Edi Rama deklaroi se çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë largimin e tij dhe të protestojë kundër qeverisë, por theksoi se dorëheqja nuk mund t’i imponohet përmes dhunës. Reagimi i tij vjen pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe akte dhune.
Rama u shpreh se paketa e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane nuk cenon, sipas tij, liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
“Liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt ndalen aty ku cenohen të drejtat e të tjerëve”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se kundërshtarët e qeverisë janë të lirë të kërkojnë largimin e tij, ta shprehin këtë qëndrim publikisht dhe të organizojnë protesta, ndërsa detyra e qeverisë është të garantojë që demonstratat të zhvillohen pa presion.
“Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që do të më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë, me kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se kërkesa për dorëheqjen e tij është e drejtë e qytetarëve, por kundërshtoi çdo përpjekje për ta imponuar atë përmes dhunës.
“Kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të ma imponojë me dhunë apo me çdo formë tjetër”, deklaroi ai.
Rama tha se shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët, rendin dhe sigurinë, si dhe pronën publike e private nga aktet e dhunshme.