Bizneset e dëmtuara gjatë protestave të dhunshme në Tiranë do të përfitojnë dëmshpërblim deri në 100% të dëmeve materiale. Kryeministri Edi Rama prezantoi aktin normativ që parashikon mbështetje financiare për subjektet e prekura nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret.
Sipas Ramës, masa e dëmshpërblimit do të ndryshojë në varësi të madhësisë së biznesit, nga mbulimi i plotë i dëmeve për subjektet më të vogla deri në të paktën 70% për bizneset më të mëdha. Skema do të zbatohet për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.
Kryeministri tha se subjektet që kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve aplikimet dhe dokumentacionin për dëmet e pësuara nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të marrë dëmshpërblimin.
“Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë, në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu se personat që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare, në përputhje me vendimet përkatëse të gjykatave.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, sipas aktit të prezantuar, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit do t’u kalojë prindërve.