Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mund të japë dorëheqjen në mars të vitit 2027, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Skenari është raportuar nga gazeta italiane “La Repubblica”, e cila shkruan se kjo mundësi është diskutuar gjatë takimeve të fundit të Melonit me aleatët e saj në qeveri.
Sipas raportimit, në diskutime kanë marrë pjesë Antonio Tajani, Matteo Salvini dhe Maurizio Lupi. Samiti i Këshillit Evropian, që pritet të mbahet në Romë për 70-vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës, mund të shërbejë si momenti i fundit i rëndësishëm ndërkombëtar për Melonin përpara një vendimi të mundshëm për largimin nga detyra.
Në këtë skenar, kryeministrja do t’i kërkonte Presidentit të Republikës shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Data e parë e mundshme për votimet raportohet të jetë 16 maji 2027, ndërsa një alternativë që përmendet është zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale në të njëjtën ditë gjatë muajit qershor. Kjo do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve disa muaj përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar, të parashikuar për vjeshtën e vitit 2027.
Megjithatë, drejtuesit e koalicionit të djathtë vazhdojnë të deklarojnë publikisht se zgjedhjet do të zhvillohen në afatin e zakonshëm. Deri tani, nuk ka një njoftim zyrtar për dorëheqjen e Melonit apo për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Paralelisht, partitë e koalicionit të djathtë kanë intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet lokale në qytetet kryesore të vendit, mes tyre Roma, Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja. Përzgjedhja e kandidatëve ka nxitur diskutime brenda koalicionit, ndërsa drejtuesit synojnë të arrijnë marrëveshje përpara intensifikimit të fushatës.
Për momentin, zgjedhjet e parakohshme mbeten një skenar i raportuar nga mediat italiane dhe jo një vendim i konfirmuar zyrtarisht.

