Protesta në Tiranë, Berisha: Studentët triumfuan, qytetarët duhet t’i mbështesin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e djeshme të studentëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga protestat më atdhetare që ka parë vendi që nga viti 1990.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se studentët kanë dëshmuar se nuk mund të mposhten nga dhuna, terrori apo kërcënimet.
“Dita e djeshme ishte një ditë kulmore e revoltës 12-ditore të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, por e vërteta është se në grevën e tyre janë përfshirë edhe universitetet dhe gjimnazet në disa rrethe të vendit. Thashë dita e djeshme ishte një ditë në të cilën qytetarët triumfuan, studentët triumfuan. Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata.
Se ata janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre. Ka pasur shumë protesta nga viti 1990 gjer sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por mund t’u them se kjo është protesta më atdhetare”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që t’u japin mbështetje të plotë të rinjve, duke theksuar se ata po protestojnë për të ardhmen e tyre dhe të brezave që vijnë.
Kreu i PD-së përshëndeti gjithashtu pjesëmarrjen e qytetarëve, sindikatave dhe organizatave të ndryshme në protestë, duke e cilësuar atë si një shprehje të solidaritetit me studentët dhe gjimnazistët.
“Kjo është thirrja që buron nga identiteti kombëtar, që buron nga shpirti, zemra e atyre mijëra e mijëra djemve dhe vajzave që na thonë se ne duhet të bëjmë Shqipërinë. Këta vajza dhe djem të gatshëm për çdo sakrificë, këta meritojnë mbështetjen më totale, më absolute.
Këta po protestojnë për secilin prej nesh. Po protestojnë për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve tanë.
Ndaj dhe dje, së bashku me ta, protestuan mijëra e mijëra qytetarë të thirrur nga PD, sindikatat e arsimit, sindikatat e minatorëve, urdhrat e arkitektëve, inxhinierëve, etj. Ishte madhështore’, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



