Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe akteve të anarkisë urbane, e cila parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për personat që marrin pjesë në tubime të dhunshme dhe nuk largohen pas paralajmërimeve të policisë.
Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore dhe synon, sipas kryeministrit, të forcojë masat kundër dhunës, të përcaktojë përgjegjësinë individuale për dëmet materiale dhe të krijojë mekanizma për dëmshpërblimin e pronës publike dhe private.
Rama tha se për hartimin e paketës është bashkëpunuar me ekspertë evropianë dhe partnerë francezë e italianë, duke iu referuar edhe modeleve të zbatuara në këto vende.
“Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Çdo masë përputhet me nenin 47 të Kushtetutës, nenin 11 të GJEDNJ-së, udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it. Përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, deklaroi kryeministri.
Gjashtë instrumentet e paketës
Sipas Ramës, paketa përfshin një akt normativ për dëmshpërblimin e bizneseve të vogla, një ligj të ri për riparimin e dëmeve materiale, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së Mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin e Procedurës.
Duke u ndalur te ligji për riparimin e dëmeve, kryeministri theksoi se përgjegjësia financiare do t’u ngarkohet personave që shkaktojnë dëme, në vend që kostoja të përballohet nga taksapaguesit.
“Ligji i ri që kemi hartuar për riparimin e dëmeve krijon themelin për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë: kush shkakton dëm, e paguan. Barra nuk bie mbi taksapaguesit, siç ishte deri sot”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ligji do të zbatohet për tubimet publike, përfshirë edhe grumbullimet sportive e festive, kur shkaktohen dëme materiale ndaj pronës publike ose private.
Gjobë deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj policisë
Një nga masat kryesore të propozuara lidhet me personat që qëndrojnë në tubime të dhunshme edhe pas paralajmërimeve të policisë për t’u larguar. Sipas Ramës, ata mund të gjobiten administrativisht deri në 500 mijë lekë të reja.
Kryeministri theksoi se përgjegjësia do të jetë individuale dhe se ndëshkimi nuk do të lidhet thjesht me praninë në një protestë, por me sjelljen e personit.
“Askush nuk paguan dëm se ka protestuar apo ka qenë i pranishëm. Kjo përgjegjësi lind nga sjellja vetjake e secilit person”, deklaroi ai.
Nga këto masa, sipas Ramës, do të përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit që janë në krye të detyrës dhe kalimtarët e rastësishëm. Për të miturit, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestarët e tyre.
Policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë
Paketa parashikon gjithashtu ndryshime në ligjin për tubimet, i cili, sipas kryeministrit, ka nevojë për përditësim. Ndryshimet synojnë t’i japin policisë më shumë mjete për ndërhyrje dhe vendosjen e sanksioneve.
Sipas masave të prezantuara nga Rama, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë rreth objekteve të caktuara.
Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj rregullave parashikohet të gjobiten nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit mund të ndëshkohet me gjobë deri në 500 mijë lekë të reja.
Për bllokimin e qarkullimit, Rama bëri të ditur se parashikohet një gjobë prej 5 mijë lekësh të reja për çdo pjesëmarrës.
Masat e prezantuara janë pjesë e paketës së re ligjore të shpallur nga qeveria. Zbatimi i tyre do të varet nga miratimi i akteve përkatëse dhe formulimi përfundimtar i dispozitave ligjore.

