Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën e së shtunës si një triumf të studentëve dhe gjimnazistëve që prej 12 ditësh po protestojnë kundër qeverisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, ai tha se lëvizja është shtrirë edhe në universitete dhe gjimnaze në disa rrethe të vendit.
“Dita e djeshme ishte një ditë kulmore e revoltës 12-ditore të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, por e vërteta është se në grevën e tyre janë përfshirë edhe universitetet dhe gjimnazet në disa rrethe të vendit”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës tha se të rinjtë kanë treguar vendosmëri përballë dhunës dhe kërcënimeve, duke e cilësuar protestën si një nga më atdhetaret që janë zhvilluar në Shqipëri që prej vitit 1990.
“Studentët triumfuan sepse u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata”, u shpreh ai.
Berisha pretendoi se studentët po protestojnë kundër një qeverisjeje që, sipas tij, po i detyron qytetarët të largohen nga Shqipëria për shkak të korrupsionit dhe krimit.
“Kjo është thirrja që buron nga identiteti kombëtar, që buron nga shpirti, zemra e atyre mijëra e mijëra djemve dhe vajzave që na thonë se ne duhet të bëjmë Shqipërinë. Që me protestën e tyre na thonë se nuk duam që të boshatiset ky vend. Që na thonë se ne duam të ndërtojmë ëndrrat tona të bukura në dheun tonë”, tha Berisha.
Ai ngriti shqetësimin për zhvillimet demografike në vend, duke përmendur emigracionin, plakjen e popullsisë dhe rënien e lindshmërisë. Sipas tij, Shqipëria po përballet me një nga periudhat më të vështira për shkak të largimit të qytetarëve.
“Kurrë kombi ynë nuk ka pasur një rënie kaq dramatike të lindshmërisë. Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk ka humbur 47 për qind, ndoshta edhe më shumë, të banorëve të tij në Shqipëri”, deklaroi kreu i PD-së, duke paraqitur shifrat si pjesë të argumentit të tij për situatën demografike.
Berisha vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e së shtunës, ku sipas tij, krahas studentëve dhe gjimnazistëve, u bashkuan mbështetës të Partisë Demokratike, sindikata dhe përfaqësues të profesioneve të ndryshme.
“Këta meritojnë mbështetjen më totale, më absolute. Këta po protestojnë për secilin prej nesh. Po protestojnë për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.
Kreu i opozitës iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke e akuzuar për përgjegjësi për situatën në vend.
“Ti jep dorëheqjen sepse je një ndër të këqijat më të mëdha të këtij kombi në histori”, deklaroi Berisha.