Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër protestave të dhunshme, që përfshin gjashtë instrumente, mes tyre edhe një Kod Etike për mësuesit e arsimit parauniversitar.
Sipas Ramës, ky kod parashikon masa disiplinore për mësuesit që përdorin autoritetin e tyre profesional për të nxitur ose organizuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin e fëmijëve dhe pritshmëritë e prindërve.
Kryeministri theksoi se shkolla duhet të mbetet një hapësirë e sigurt për fëmijët dhe se mësuesit nuk duhet ta përdorin marrëdhënien me nxënësit për t’i përfshirë ata në aktivitete të të rriturve.
“Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, mësuesit që shkelin këto rregulla mund të pezullohen ose të largohen nga detyra, nëse përdorin autoritetin shtetëror apo profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e të miturve në tubime.
“Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës”, deklaroi ai.
Rama sqaroi se masat e parashikuara nuk synojnë të kufizojnë të drejtën e mësuesve për t’u shprehur apo për të protestuar personalisht, por të ndalojnë përdorimin e autoritetit të tyre mbi nxënësit për t’i përfshirë në tubime.
“Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve”, theksoi kryeministri.