FIFA/ Infantino mbron kandidaturën, mbështetet nga një “shumicë dërrmuese”
Gianni Infantino pretendon se gëzon mbështetjen e një “shumice dërrmuese” të komunitetit botëror të futbollit dhe po përgatitet të kandidojë për një mandat të katërt si president i FIFA-s, ndërkohë që polemikat rreth udhëheqjes së tij po shtohen.
Në një intervistë për BBC-në në Baku të Azerbajxhanit, ai e pranoi nevojën për të përmirësuar dialogun me ata që kundërshtojnë vendimet e tij, por hodhi poshtë në mënyrë të tërthortë thirrjet për dorëheqje – thirrje këto që lindën pas një skandali që përfshinte një plan për të komercializuar kompeticionet e FIFA-s përmes investitorëve privatë.
“Në një organizatë si FIFA, mund të ketë pikëpamje të ndryshme,” deklaroi ai, duke theksuar se, nëse dikush beson në demokraci, duhet të respektojë mendimet e shumicës së 211 federatave anëtare.
“Është normale të ketë mosmarrëveshje, por duhet të jemi në gjendje t’i diskutojmë ato, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara,” tha kreu i futbollit botëror.
Infantino është zotuar t’u përgjigjet 42 pyetjeve të paraqitura nga UEFA, e cila ka caktuar datën 2 nëntor si afat për marrjen e sqarimeve lidhur me aspekte të ndryshme të menaxhimit të federatës ndërkombëtare.
Në thelb të polemikës qëndron plani “FIFA Forward Enterprise”, i cili do t’u kishte mundësuar investitorëve privatë të përfitonin nga të ardhurat e kompeticioneve. Projekti, i zbuluar fillimisht nga gazeta britanike “The Times”, u pezullua tri ditë pas publikimit të hetimit.
UEFA ka ndërmarrë veprime ligjore në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas raportimeve, po shqyrton mundësinë e një kandidati alternativ për zgjedhjet presidenciale në muajin mars.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



