Lajmi i fundit

Dita e 13-të e revoltës studentore në Tiranë

Policia dhunë çnjerëzore ndaj qytetarëve, plumb gome në sy të riut, nuk kursen as pedagogët! Dhjetra të plagosur

23:32, 24/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protesta e kësaj të shtune (24 tetor) është shoqëruar me dhunë të paprecedentë nga Policia e Shtetit, e cila ka qëlluar vazhdimisht me plumba gome në drejtim të protestuesve, duke lënë dhjetëra studentë, pedagogë dhe qytetarë të plagosur. Rasti më i rëndë është ai i një të riu, i qëlluar në njërin sy, i cili ndodhet në spital, duke rrezikuar seriozisht shikimin. Dëmtime nga plumbat e gomës kanë pësuar edhe qytetarë të tjerë, të cilët, në shkelje të ligjit, janë goditur nga policia në pjesën e sipërme të trupit, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre

SYRI TV

Kjo është fytyra e dhunës shtazarake që përjetuan këtë të shtunë protestuesit në Tiranë. Pamje të tilla dëshmojnë pasojat e rënda të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndërsa i riu, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, rrezikon sëriozisht të humbasë njërin sy

Kjo pamje është një dëshmi e qartë e asaj që ndodhi në rrugët e kryeqytetit, ku policia, pa u kursyer, qëlloi vazhdimisht në drejtim të protestuesve me plumba gome, duke lënë pas dhjetëra të plagosur.

Protesta e kësaj të shtune në Tiranë është shoqëruar me dhunë të paprecedentë nga ana e Policisë së Shtetit. Me urdhër të prerë dhe në një skenar të mirëorganizuar, efektivët kanë qëlluar vazhdimisht në drejtim të protestuesve me plumba gome.

Pamjet dhe dëshmitë e siguruara nga Syri TV dokumentojnë goditjet në pjesën e sipërme të trupit të qytetarëve, përfshirë kokën, qafën dhe kraharorin, në shkelje flagrante të ligjit, duke rrezikuar jetën e protestuesve.

Dhjetëra studentë, pedagogë dhe qytetarë kanë mbetur të plagosur nga plumbat e gomës dhe dhuna policore.

Në një prej rasteve më flagrante, një pedagoge është qëlluar me plumb gome në zonën e zemrës, ndërsa fatmirësisht, ajo është në gjendje të mirë, pavarësisht rrezikut të lartë

Policia ka sulmuar protestuesit me plumba gome dhe forcë fizike, ndërsa mes personave të dhunuar ka mbetur edhe pedagogu Lush Susaj.

Plumbat e gomës nuk kanë kursyer as avokatin Altin Goxhaj. Siç tregon edhe vetë ai, është goditur në kraharor gjatë protestës.

Por pamjet që dëshmojnë më qartë pasojat e kësaj ndërhyrjeje janë ato të protestuesve të plagosur në kokë, ndërsa qytetarët përpiqen t'u japin ndihmën e parë.

Të tjerë protestues janë goditur në kokë dhe në qafë, duke pësuar dëmtime në zona veçanërisht të rrezikshme të trupit. Në këto momente, ndihma e qytetarëve të tjerë ka qenë vendimtare për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve.

Pamje dhe dëshmi që dokumentojnë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Tiranë. Syri TV sjell faktet nga terreni, aty ku plumbat e gomës kanë lënë pas dhjetëra të plagosur. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco