Për herë të parë në Shqipëri, Asambleja Euro-Mesdhetare mbledh mbi 80 përfaqësues nga rajoni dhe BE-ja
Për herë të parë, Shqipëria do të presë Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), një forum që synon forcimin e bashkëpunimit midis autoriteteve lokale dhe rajonale në vendet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve në Mesdheun Jugor.
Gjatë tre ditëve, më shumë se 80 përfaqësues të autoriteteve lokale dhe rajonale do të diskutojnë sfidat e përbashkëta, duke u përqendruar në ndryshimet klimatike, të rinjtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin euro-mesdhetar.
Aktivitetet zhvillohen në datat 26–28 tetor 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe rajonale, institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare.
Programi përfshin takime koordinuese, sesione tematike, diskutime mbi zbatimin e Paktit për Mesdheun, ceremoninë e ndarjes së Çmimit ARLEM 2026, për sipërmarrjen e re vendore në Mesdhe si dhe një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat.
Në kuadër të programit, më 27 tetor do të zhvillohet seanca e hapjes, me fjalët përshëndetëse të Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec, dhe Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë.
Të pranishëm do të jenë edhe bashkëpresidentët e ARLEM-it si përfaqësues të Komisionit Evropian, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Unionit për Mesdheun.
Një nga temat kryesore të takimit do të jetë zbatimi i Paktit për Mesdheun përmes angazhimit të autoriteteve vendore dhe rajonale.
Diskutimet do të përqendrohen te sfidat dhe mundësitë konkrete në fusha me rëndësi për zhvillimin e komuniteteve, përfshirë barazinë gjinore, menaxhimin e ujit, përballimin e ndryshimeve klimatike, mbrojtjen civile dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.
Gjatë sesionit tematik do të prezantohen iniciativa dhe projekte konkrete, ndër të cilat projekti për barazinë gjinore në Shqipëri, “Gender Equality Facility in Albania”, si dhe projektet “NATURIncMed”, “ForestMED” dhe “MEDTER”.
Programi do të përmbyllet më 28 tetor me një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të njihen nga afër me territorin, zhvillimin vendor dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.
Përmes këtij aktiviteti, Shqipëria kontribuon në forcimin e dialogut dhe të partneriteteve Euro-Mesdhetare, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



