Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj viziton protestuesin e dhunuar nga policia: Është piktor, e lanë në rrugë si kriminel


Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka vizituar në spital Lulzimin, protestuesin që, sipas tij, u dhunua nga policia me shkop gome mbrëmjen e së shtunës dhe u la i shtrirë në rrugë pa ndihmë.

Shehaj bëri të ditur se Lulzimi është piktor dhe se prej 150 ditësh merr pjesë në protestë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai tregoi se e kishte vizituar në spital, ku pranë tij ndodhej edhe bashkëshortja.

“Vizitova në spital Lulzimin, me profesion piktor. Policia e rrahu dhe e la të shtrirë në tokë. Pranë tij është bashkëshortja, që i qëndron te koka. Uroj që Lulzimi, i cili vjen prej 150 ditësh çdo ditë në protestë, ta marrë veten sa më shpejt!”, shkruan Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia dënoi dhunën e pretenduar ndaj protestuesit dhe njoftoi se ekipi ligjor i partisë do t’i ofrojë atij ndihmë për të kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj personave të përfshirë në ngjarje.

“Avokatët e Partisë Mundësia do t’i ofrojnë të gjithë ndihmën ligjore që përgjegjësit të japin llogari dhe Lulzimi të marrë drejtësi”, u shpreh Shehaj.