Italia mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni po shqyrton mundësinë e dorëheqjes në muajin mars 2027, menjëherë pas samitit të Këshillit Evropian që pritet të mbahet në Romë. Lajmi është raportuar nga gazeta italiane “La Repubblica”, megjithëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë skenar.
Sipas medias italiane, mundësia e dorëheqjes është diskutuar gjatë takimeve të fundit të Melonit me partnerët e koalicionit qeverisës, Antonio Tajani, Matteo Salvini dhe Maurizio Lupi.
Samiti evropian në Romë, që do të zhvillohet në kuadër të 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës, mund të jetë angazhimi i fundit i madh ndërkombëtar i Melonit përpara një vendimi të mundshëm politik.
Sipas skenarit të raportuar nga “La Repubblica”, pas samitit kryeministrja mund të paraqesë dorëheqjen, duke hapur rrugën për procedurat kushtetuese që mund të çojnë në shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Data më e afërt e përmendur për zgjedhjet është 16 maji 2027, ndërsa një alternativë tjetër parashikon zhvillimin e tyre në qershor, njëkohësisht me zgjedhjet lokale. Ky skenar do të mundësonte bashkimin e dy proceseve zgjedhore, disa muaj përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar, që përfundon në vjeshtën e vitit 2027.
Megjithatë, drejtuesit e koalicionit të djathtë vazhdojnë të deklarojnë publikisht se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas kalendarit të zakonshëm, duke mos konfirmuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, partitë e shumicës kanë intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet lokale, me fokus te përzgjedhja e kandidatëve në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Romën, Milanon, Napolin, Torinon dhe Bolonjën.
Negociatat për kandidatët kanë nxitur diskutime brenda koalicionit qeverisës, ndërsa aleatët e Melonit synojnë të arrijnë marrëveshje përpara nisjes së fushatës elektorale.a.b




