Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga nyjet kryesore të transportit ajror në Evropë, ka anuluar rreth 90 fluturime këtë të diel, më 25 tetor, për shkak të erërave të forta të shkaktuara nga stuhia “Boelo”.
Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), anulimet kanë prekur kryesisht fluturimet drejt destinacioneve evropiane, përfshirë Parisin, Romën dhe Dublinin.
Përveç fluturimeve të anuluara, janë raportuar edhe vonesa dhe anulime të tjera në fluturimet që kishin si destinacion aeroportin e Amsterdamit.
Në një njoftim zyrtar, autoritetet e Schiphol-it paralajmëruan se kushtet e pafavorshme atmosferike pritet të ndikojnë në trafikun ajror gjatë gjithë ditës.
Pasagjerëve u është kërkuar të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre përpara se të nisen drejt aeroportit, pasi situata mund të sjellë ndryshime të mëtejshme në oraret e udhëtimeve.

