Avokati Idajet Beqiri, në “Breaking News” në ABC News, ka komentuar protestat e dhunshme, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të cenuar shtetin dhe rendin kushtetues.
Ai ngriti akuza për përfshirje të faktorëve të huaj, ndërsa argumentoi se masat e reja ligjore synojnë të parandalojnë aktet e dhunës dhe të vendosin përgjegjësi për shkelësit.
Sipas Beqirit, protestat morën përmasa të rënda dhe u shoqëruan me dëme në institucione shtetërore dhe biznese.
Ai shtoi se pas tyre qëndronin përpjekje të organizuara për destabilizimin e vendit, duke përmendur edhe atë që e cilësoi si ndikim serbo-rus. Këto pretendime u paraqitën nga avokati gjatë intervistës.
Beqiri përmendi edhe politikanët Arlind Qori dhe Agron Shehaj , Adriatik Lapaj duke u shprehur se janë antishqiptarë.
“Në këtë revoltë, e cila i mori përmasat e një kryengritjeje të armatosur, baza e saj ishte rrëzimi i shtetit dhe i rendit kushtetues. Ishte një përgatitje që u bë dhe një komandë që u dha, de facto, edhe nga serbo-rusët, të cilët furnizuan këtë kryengritje të armatosur. Ata, si dhe mobilizimi që bënë me këto forca të errëta, arritën në Shqipëri deri aty sa të uzurponin edhe pushtetin më të lartë shtetëror, siç është Sali Berisha.
Duke pasur një situatë të tillë, e cila u rëndua, në emër të studentëve apo flamingove arritën t’i shkaktonin një dëm të konsiderueshëm vendit, që konsiston në djegien e një numri të madh institucionesh shtetërore, shkatërrimin e shumë bizneseve, madje pati edhe persona që erdhën nga Spanja.
Vendimi që merret dhe konsiderohet si tubim i paligjshëm apo vepër penale, si dhe masa e gjobës, lidhen me një fakt: nëse gjykata e konsideron të ligjshëm arrestimin, organi kompetent ka të drejtë të vendosë gjobë deri në 5 milionë lekë. Ky urdhër ekzekutiv kalon në përmbarim dhe përmbaruesi të sekuestron pasuritë kudo që i ke. Për personat mbi 18 vjeç, përgjegjësia është individuale, ndërsa për ata nën 18 vjeç, u merren prindërve.
Me këtë import të kriminelëve antifashistë, që iu bashkohen Arlind Qorit dhe Agron Shehajt, veprimet kanë treguar se nuk kursehen as fëmijët, as qytetarët dhe as policia. Hedhin bomba molotov dhe predha primitive në çdo ambient, edhe në xhami, ku njerëzit shkojnë për t’u falur. Kjo dispozitë i disiplinon.
Qori, Lapaj dhe Shehaj kanë treguar veten se janë antishqiptarë, kundër Shqipërisë në BE dhe kundër investimeve të mëdha, dhe u bashkuan me mortjen Sali. Ndërsa Saliu, me atë që bëri dje, e ktheu PD-në në bazë armatimi. Ai do ta çojë nga 300 mijë vota fitoren, tashmë po e çon aq sa nuk ka ku të shkojë më. Dhe kësaj qeverie i shton numrin e mandateve.”, tha ai.











