Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me dhunën në protesta dhe plagosjen e Erjon Vishkullit, duke e cilësuar ngjarjen si një kambanë alarmi për pasojat e rënda që mund të sjellë përshkallëzimi i situatës. Në reagimin e saj, Koçiu thekson se dhuna, e nxitur sipas saj nga ekranet dhe inatet e vjetra politike, është kthyer në një rrezik serioz për jetën e protestuesve dhe qytetarëve. Ajo e konsideron të papranueshme shfrytëzimin e ngjarjes për qëllime propagandistike dhe për të justifikuar vijimin e dhunës.
Postimi i plotë
Dhuna e verbër, e nxitur nga ekranet dhe inatet e vjetra politike, është kthyer në një rrezik serioz për jetën e vetë protestuesve dhe të qytetarëve.
Lëndimi i të riut nga Elbasani është një kambanë alarmi për pasojat e rënda që sjell dhuna në protesta. Është e papranueshme që një ngjarje e tillë të shfrytëzohet për propagandë dhe për të justifikuar vijimin e kësaj rruge pa krye.
Qeveria shqiptare është angazhuar maksimalisht për të garantuar trajtimin e të riut në një spital në Itali, si dhe transportimin e tij me avion mjekësor.
Koha e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë gjithçka që po ndërtojmë me aq mund, po mbaron. Drita e Shqipërisë sot është shumë herë më e madhe se errësira e tyre.
