Situata në protestën e kësaj të diele është tensionuar gjatë orëve të mbrëmjes, kur disa protestues të rinj kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Kuvendit, duke thyer xhamat.
Protestuesit kanë hedhur gjithashtu kapsolla në drejtim të efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët qëndronin të pozicionuar në fund të rrugicës pranë Kuvendit.
Deri në orët e mbrëmjes, protesta ishte zhvilluar e qetë, pa incidente apo përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndryshe nga ajo e një dite më parë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje të dhunshme.
Hedhja e gurëve dhe kapsollave ka shënuar një përshkallëzim të situatës gjatë protestës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tensionet do të vijojnë edhe në orët në vijim.












