Situata është tensionuar përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë dhe kryesisë së Kuvendit.
Gjatë incidenteve janë thyer disa xhama në katin e parë të godinës, ndërsa autoboti i ujit është vendosur në gatishmëri.
Tensionet janë regjistruar gjatë ditës së 13-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë në terren për të monitoruar situatën dhe për të përballuar një përshkallëzim të mundshëm të saj.
Pas hedhjes së gurëve, dëmtime janë konstatuar në xhamat e katit të parë të Kuvendit. Ndërkohë, autoboti i ujit është pozicionuar në gatishmëri, por deri në këto momente nuk raportohet të jetë përdorur.
Protesta e sotme zhvillohet një ditë pas përplasjeve të forta mes demonstruesve dhe policisë, gjatë të cilave u plagos rëndë në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli. I riu është dërguar në Itali për trajtim të specializuar mjekësor, ndërsa ngjarja ka nxitur reagime nga studentët dhe qytetarët.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kundërshtojnë edhe masat e reja ligjore të paralajmëruara nga qeveria për tubimet e dhunshme.
Situata para Kuvendit mbetet e tensionuar. Deri në momentin e raportimit, nuk ka informacion të konfirmuar për persona të lënduar nga incidentet e fundit.
© SYRI.net