Manchester United pësoi një tjetër goditje të rëndë, duke u mposhtur 3-0 nga Bournemouth në ‘Old Trafford’. Kjo ishte humbja e tretë në katër ndeshjet e fundit në shtëpi për “Djajtë e Kuq”, ndërsa trajneri Michael Carrick po përballet me presion gjithnjë e më të madh për të ardhmen e tij.
Pas humbjes zhgënjyese në mesjavë ndaj Comos, në mediat angleze kishin nisur të qarkullonin zërat për emra të mundshëm që mund ta zëvendësojnë Carrick. Në këtë situatë, trajneri mori një vendim të fortë, duke lënë në stol kapitenin Bruno Fernandes për një ndeshje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e tij.
Megjithatë, Bournemouth, që gjatë javës kishte mposhtur edhe Milanin, nuk u ndikua nga atmosfera e ‘Old Trafford’. Pas një fillimi të kujdesshëm, miqtë kaluan në avantazh në minutën e 30-të, kur Rayan shfrytëzoi një krosim nga goditja e dënimit e Justin Kluivert dhe dërgoi topin në rrjetë.
United tentoi të reagonte, por portieri Djordje Petrovic ndali përpjekjen e Bryan Mbeumos. Më pas, një gabim i Leny Yoros i dha mundësinë Bournemouthit të dyfishonte shifrat. Adrien Truffert shërbeu për Marcus Tavernier, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e boshatisur.
Në pushim, tifozët vendas e përcollën skuadrën me vërshëllima. Pavarësisht situatës, Carrick nuk aktivizoi Bruno Fernandesin në fillimin e pjesës së dytë, duke zgjedhur Matheus Cunhan.
Bournemouth shënoi fillimisht me Evanilson, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Sulmuesi brazilian arriti gjithsesi të gjente rrugën e rrjetës më vonë, pas një topi të gjatë nga Lewis Cook dhe një pasigurie në mbrojtjen e United. Evanilson kaloi portierin Senne Lammens dhe realizoi një gol të bukur nga kënd i vështirë, duke vulosur rezultatin 3-0.
Me këtë fitore, Bournemouth regjistroi ndeshjen e katërt radhazi në ‘Old Trafford’ ku shënon të paktën tre gola. Gjithashtu, skuadra siguroi katër fitore radhazi në të gjitha kompeticionet për herë të parë që nga dhjetori i vitit 2023.
Për Manchester United, ndërkohë, seria pa fitore është zgjatur në tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet. E ardhmja e Carrick në stolin e skuadrës tashmë është edhe më e pasigurt.
© SYRI.net
Frikë për Alisson Santos, hajdutët i hyjnë në shtëpi dhe i marrin makinën
Carrick: Nuk u thashë lamtumirë tifozëve të Man. United, ja pse Bruno Fernandes qëndroi në stol
Hoffenheim mposht thellë Leverkusenin, Kramaric shënon golin historik në BundesligëBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: