Tensionohet sërish situata në protestën e ditës së 13-të kundër qeverisë së Edi Ramës. Forcat e Policisë së Shtetit kanë rinisur shoqërimin e protestuesve përpara Kryeministrisë, ndërsa ndërhyrja e efektivëve të FNSH-së ka shkaktuar reagimin e qytetarëve të pranishëm.
Protestuesit janë përpjekur të pengojnë shoqërimin e qytetarëve nga policia, ndërsa gjatë përplasjeve efektivët kanë përdorur masivisht spraj djegës për të larguar personat që kundërshtonin ndërhyrjen.
Tensionet janë përshkallëzuar fillimisht përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë dhe godinës së Kryesisë së Kuvendit. Si pasojë, janë thyer disa xhama në katin e parë të godinës.
Ndërkohë, autoboti i ujit është pozicionuar në gatishmëri, por deri në momentin e raportimit nuk ka informacion se është përdorur.
Përplasjet e sotme vijnë një ditë pas incidenteve të rënda gjatë protestës, ku 28-vjeçari Erjon Vishkulli mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome. I riu është dërguar në Itali për trajtim të specializuar mjekësor.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kundërshtojnë edhe paketën e re ligjore të paralajmëruar nga qeveria për ashpërsimin e masave ndaj pjesëmarrësve në protesta. a.b





