Mbyllet votimi në Serbi, reagon Vuçiç: Nëse humbasim do njohim rezultatin

25 Tetor 2026 | 20:46

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se pret që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen në qetësi dhe se rezultati duhet të pasqyrojë vullnetin demokratik të qytetarëve.

Pas votimit në Beogradin e Ri, ku ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Tamara Vuçiç, ai tha se partia e tij do ta pranojë rezultatin, pavarësisht nëse fiton apo humbet.

“Ne gjithmonë do të sillemi me përgjegjësi. Nëse humbasim, do ta njohim vullnetin e votuesve, ndërsa nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë atë fitore”, u shpreh Vuçiç para gazetarëve.

Ai theksoi se këto zgjedhje janë një moment vendimtar për drejtimin që do të marrë Serbia, duke e paraqitur votimin si një zgjedhje mes së ardhmes dhe së kaluarës. Kreu i shtetit serb kritikoi gjithashtu periudhat e mëparshme të privatizimeve dhe të vështirësive ekonomike, duke thënë se qytetarët do të vendosin përmes votës së tyre.

Vuçiç deklaroi se pret pjesëmarrje të lartë në zgjedhje dhe bëri të ditur se vlerësimi i parë i rezultateve mund të publikohet rreth orës 22:00–23:30.

Ai pretendoi se do të paraqiten të dhëna të sakta për rezultatin, ndërsa u shpreh se është ende herët për të folur për skenarin e mundshëm të humbjes së pushtetit.

I pyetur se çfarë do të bënte nëse do të përfundonte në opozitë, Vuçiç tha se kjo do të varet nga rezultati dhe se do të duhet të bisedojë me partitë e tjera opozitare.

Gjatë prononcimit, Vuçiç foli edhe për marrëdhëniet me Kroacinë, duke u shprehur se shpreson që ato të përmirësohen në të ardhmen. Megjithatë, ai akuzoi mediat kroate për ndërhyrje në proceset e brendshme politike të Serbisë dhe për mbështetjen e njërës palë në zgjedhje.

I pyetur për mbështetjen e marrë nga presidenti rus Vladimir Putin, Vuçiç tha se ishte i kënaqur. Ai gjithashtu përmendi mbështetjet e ndryshme që kanë marrë aktorët politikë në Serbi gjatë fushatës.

Në përfundim, presidenti serb u shpreh se gjatë karrierës së tij politike ka kaluar shumë momente të vështira, por theksoi se rezultatet e punës së qeverisë, sipas tij, janë të dukshme në zhvillimet dhe projektet e realizuara në vend.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, pjesëmarrja arrin në 67.6% deri në orën 19:00

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi janë karakterizuar nga një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve në votim. Sipas të dhënave të publikuara nga IPSOS dhe...
19:53 | 25/10/2026

E motra e djalit që plagosi syrin pretendon se shpenzimet i ka bërë familja, jo shteti! Reagon Kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me rastin e Erjon Vishkullit, pasi motra e 28-vjeçarit të plagosur në sy gjatë protestës ka kundërshtuar deklaratat...
17:16 | 25/10/2026

Protestuesit thyejnë ‘karriget e dialogut’ para Kryeministrisë, iu vendosin flakën

Protesta e cila nisi fillimisht para Ministrisë së Arsimit është zhvendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë. Pasi kanë mbërritur në shesh,...
15:47 | 25/10/2026