Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ndaj përdorimit të dhunës nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po përdor institucionet shtetërore për të ruajtur pushtetin.
Balliu ngre shqetësimin për përdorimin e plumbave ndaj protestuesve, duke pretenduar se ata nuk synojnë neutralizimin, por shkaktimin e dëmtimeve të rënda.
Sipas tij, përdorimi i forcës kundër qytetarëve që protestojnë kërkon një hetim të plotë, jo vetëm për veprimet e efektivëve në terren, por edhe për përgjegjësitë e drejtuesve që kanë dhënë ose lejuar urdhra të tillë.
“Këto plumba nuk janë për neutralizim, por për asgjësim. Një qeveri që përdor dhunën kundër popullit të vet për të mbrojtur pushtetin, nuk mund të fshihet pas uniformave dhe institucioneve të shtetit. Kur forca publike kthehet në instrument dhune kundër qytetarëve, kemi të bëjmë me një shkelje që kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore. Është koha që të hetohet deri në fund përdorimi i forcës kundër protestuesve, zinxhiri i komandimit dhe përgjegjësia e çdo zyrtari që ka urdhëruar, lejuar apo justifikuar dhunën”, shprehet Balliu ndër të tjera.












