Lista Studentore pritet të fitojë bindshëm zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke siguruar shumicën absolute në Parlament, sipas projeksionit të parë të publikuar nga Ipsos dhe CeSID, dy organizata të pavarura me mandatin e matjes së votimeve, të transmetuar nga televizioni serb N1.
Sipas këtyre projeksioneve, Lista Studentore ka siguruar 52 për qind të votave, ndërsa lista e presidentit Aleksandar Vuçiç ka marrë 39,3 për qind. Diferenca mes dy blloqeve kryesore është 12,7 pikë përqindjeje.
Në përkthimin e votave në mandate parlamentare, Lista Studentore pritet të sigurojë 138 deputetë, ndërsa lista e Vuçiçit 104 mandate. Nëse këto shifra konfirmohen, studentët do të kalonin pragun prej 126 deputetësh, duke mundësuar formimin e qeverisë pa pasur nevojë për partnerë koalicioni.
Projeksioni i Ipsos dhe CeSID sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike serbe, pasi do t’i jepte fund shumicës parlamentare të bllokut të drejtuar nga Vuçiç.
Vetë presidenti serb ka pranuar publikisht humbjen, duke deklaruar më herët se Lista Studentore pritej të fitonte nga 135 deri në 140 mandate.
“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, është shprehur Vuçiç cituar nga media serbe.
Zgjedhjet e së dielës janë shoqëruar me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, e cila, sipas organizatave monitoruese, ka qenë dukshëm më e madhe se në zgjedhjet e vitit 2023.
Megjithatë, shifrat e publikuara nga Ipsos dhe CeSID përfaqësojnë projeksione të bazuara në një mostër vendvotimesh dhe jo rezultate përfundimtare. Konfirmimi i rezultatit pritet nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë.
Në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 4 milionë votues ose 70% e listës zgjedhore, më e madhja që nga viti 1992. m.k



