Arqipeshkvia e Nju-Jorkut dhe avokatët e rreth 1.300 besimtarëve që deklarojnë se janë abuzuar seksualisht nga klerikë kanë rënë dakord për një marrëveshje prej 800 milionë dollarësh për zgjidhjen e pretendimeve të tyre ligjore. Kjo është marrëveshja e dytë më e madhe e këtij lloji që përfshin një arqipeshkvi katolike në Shtetet e Bashkuara.
Kryeipeshkvi Ronald Hicks u dërgoi të shtunën një email klerikëve, duke konfirmuar marrëveshjen, pasi avokatët e të mbijetuarve të abuzimeve të pretenduara e kishin bërë publike atë. Hicks tha se marrëveshja nuk do të jetë përfundimtare deri në nënshkrimin e saj nga palët, veprim që është planifikuar të kryhet gjatë javës që nis më 6 nëntor, shkruan CNN.
E vetmja marrëveshje më e madhe në Shtetet e Bashkuara për pretendime lidhur me abuzimin seksual ishte ajo e Arqipeshkvisë së Los Anxhelosit, e cila ra dakord në vitin 2024 të paguante 880 milionë dollarë për 1.000 viktima të abuzimit, përveç 740 milionë dollarëve që kishte paguar më parë për pretendime të tjera. Në qershor, Arqipeshkvia e San-Françiskos ra dakord për një marrëveshje prej 395 milionë dollarësh lidhur me rreth 500 padi për abuzime nga klerikët. Ndërsa në dhjetor të vitit 2025, një gjykatës federal miratoi një marrëveshje sipas së cilës Arqipeshkvia e Nju-Orleansit pranoi të paguante të paktën 230 milionë dollarë për viktimat e abuzimit.
Marrëveshja me arqipeshkvinë e Nju-Jorkut do t’u japë fund më shumë se shtatë vjetëve procesesh gjyqësore. Palët ranë dakord në maj për një kuadër marrëveshjeje, i cili kërkonte miratimin e saj nga të gjithë ata që kishin paraqitur pretendime.
“Miratimi unanim i marrëveshjes nga të mbijetuarit që paraqitën pretendime kundër Arqipeshkvisë së Nju-Jorkut shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjen për drejtësi”, tha në një deklaratë Jeff Anderson, avokat që përfaqëson personat që kanë paraqitur më shumë se 1.000 pretendime kundër Kishës Katolike në shtetin e Nju-Jorkut. “Përmes guximit, sakrificës dhe vendosmërisë së tyre, të mbijetuarit kanë ndihmuar që të përballemi me këtë çështje dhe të bëhet një hap domethënës drejt përgjegjshmërisë.”
Arqipeshkvia e Nju-Jorkut përfshin lagjet administrative të Bronksit, Manhatanit dhe Staten Ajlendit, si dhe shtatë qarqe në veri të qytetit të Nju-Jorkut. Ajo ka rreth 300 kisha, më shumë se 150 shkolla famullitare dhe 2,5 milionë besimtarë katolikë.
Në emailin drejtuar klerikëve, Hicks tha se, nëse besimtarët pyesin për marrëveshjen, “ju lutem, bëjuni të ditur se është bërë përparim i madh”.
“Jemi në prag të mundësisë që, me ndihmën e Zotit, të sjellim njëfarë shërimi dhe pajtimi për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit”, shkroi ai. “Kjo marrëveshje do t’i mundësojë gjithashtu arqipeshkvisë që ta përqendrojë sërish të gjithë vëmendjen te misioni i saj: predikimi i Ungjillit, shërimi i të sëmurëve, kujdesi për të varfrit dhe nevojtarët, mikpritja e të huajve dhe edukimi i fëmijëve tanë.”
Një ligj i miratuar në Nju-Jork në vitin 2019 u lejon të mbijetuarve të abuzimit seksual në fëmijëri të ngrenë padi kundër abuzuesve të tyre dhe institucioneve që i kanë mbrojtur ata, deri në moshën 55-vjeçare. Personave që e kishin mbushur tashmë moshën 55 vjeç kur hyri në fuqi ligji, iu dha gjithashtu afat deri në gusht të vitit 2021 për të paraqitur padi, pavarësisht se kur kishte ndodhur abuzimi i pretenduar.
“Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për të mbijetuarit”, tha Trusha Goffe, avokate në studion ligjore të Andersonit. “Të mbijetuarit qëndruan të vendosur gjatë viteve të procesit gjyqësor për të arritur këtë marrëveshje historike.”