Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Serbi, Lista e Studentëve kryeson me 52.19% të votave

Rajon | 1 minutë më parë

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare, sipas të cilave Lista e Studentëve kryeson me 52.19% të votave, ndërsa lista e presidentit Aleksandar Vuçiç renditet e dyta me 39.52%. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (REK) në Serbi ka njoftuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, bazuar në përpunimin e të dhënave nga 7,926 qendra votimi.

Sipas rezultateve të publikuara, Lista e Studentëve ka marrë 2,116,719 vota, ose 52.19% të totalit, duke lënë pas listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, e cila ka siguruar 1,602,913 vota, ose 39.52%.

Ndërkohë, lista “Ivica Daçiç – Faktori i Stabilitetit” ka marrë 89,441 vota, që përfaqësojnë 2.21% të votave. Listat e tjera kanë siguruar secila më pak se 1%.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte pranuar më herët humbjen e listës së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke njohur epërsinë e listës së mbështetur nga studentët që organizuan bllokada dhe protesta.

Duke folur në selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS), Vuçiç deklaroi se rezultatet nuk ishin ende përfundimtare, por të dhënat paraprake tregonin se lista e tij kishte mbetur pas.

“Ne nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare. Por, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, u shpreh ai.

Sipas vlerësimeve të bëra nga Vuçiç, Lista e Studentëve pritej të siguronte nga 135 deri në 140 mandate parlamentare, ndërsa lista e tij rreth 105 mandate. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e përfaqësimit parlamentar të Unionit të Hungarezëve të Vojvodinës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme