Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar sërish simbolin e ftesës së tij për dialog me studentët, të cilët prej dy javësh vijojnë protestat duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Këtë të hënë, para godinës së Kryeministrisë është vendosur një gur në formën e tavolinës, duke zëvendësuar karriget që ishin vendosur në ditët e mëparshme si ftesë për bisedime me të rinjtë.
Ndryshimi vjen pas veprimeve të protestuesve gjatë ditëve të fundit, kur disa prej tyre u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura për dialog dhe kanë rrokullisur gurët e vendosur më herët nga kryeministri, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ftesës për bisedime.
Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët vijojnë të këmbëngulin te kërkesa për largimin e tij nga detyra e kryeministrit. Ata e konsiderojnë dialogun të papranueshëm pa u plotësuar kjo kërkesë.