Një grua është vrarë të dielën në mbrëmje në Vitomiricë. I dyshuari është kunati i saj i cili ndodhet në arrati.
Policia ka bërë të ditur se viktima dyshohet se është goditur me mjet të fortë. Ajo është Arlinda Zeka.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se viktima rreth dy orë para vrasjes ka raportuar një rast të dhunës në familje në Policinë e Pejës.
Pas raportimit, viktima është shoqëruar në shtëpinë e saj dhe bashkëshorti si i dyshuar për dhunë në familje është arrestuar.
“Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar. Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë. Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”, njofton policia.


Arlinda Zeka u vra vetëm dy orë pasi kishte raportuar në polici për dhunë në familje.
Është raportuar se viktima, tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj.
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar viktima mes të tjerash.











