Aktualitet Politikë

“Dialog”, Rama përsërit ftesën për studentët!

Kryeministri Edi Rama përsërit ftesën për dialog ndaj studentëve dhe nxënësve protestues, duke u bërë thirrje të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e tyre.

Në Facebook, shefi i qeverisë ka publikuar një video të “sofrës së gurtë”, ku shfaqet mbishkrimi “Dialog”, duke përcjellë sërish mesazhin për nisjen e bisedimeve me protestuesit.

Por, ftesat e përsëritura të Ramës nuk kanë ndryshuar qëndrimin e studentëve, të cilët prej gati dy javësh vijojnë protestat me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.

Ata kanë bërë të ditur se nuk e konsiderojnë dialogun si një zgjidhje të pranueshme për sa kohë kërkesa për largimin e tij nga detyra nuk plotësohet.

Protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe efektivëve të policisë. Gjatë tubimeve janë raportuar episode dhune, djegie, hedhje molotovësh, si dhe përdorim i gazit lotsjellës, topave të ujit e plumbave të gomës nga forcat e rendit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.