Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy vende në Kuvendin e Serbisë dhe po pret rezultatet përfundimtare për të mësuar nëse do të përfaqësohet edhe me një mandat të tretë. Lajmi është bërë i ditur nga Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani, të cilët iu referuan rezultateve paraprake të zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të publikuara prej tyre, koalicioni ka marrë gjithsej 27.230 vota. Kamberi e ka cilësuar rezultatin si dëshmi të mbështetjes qytetare dhe të bashkëpunimit mes subjekteve politike shqiptare.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi ai në Facebook.
Pas shpalljes së rezultateve paraprake, Kamberi dhe Sinani falënderuan qytetarët që votuan në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe partitë shqiptare që u bashkuan në këtë koalicion. Mirënjohje shprehën edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.